Magjia - rreziku real per individin, familjen dhe shoqërinë

Sëmundjet

Magjia

Magjia - rreziku real per individin, familjen dhe shoqërinë

Shkruan: Musli Zymberi me: 14.10. 2010

Në botën që na rrethon njeriu patjetër që do të vendoset në raporte kur duhet të vendosë në mes së mirës dhe së keqës, me të gjitha përmasat e gjëra që influencojnë këto të dyja. Dhe, kur e keqja paraqitet, e kamufluar me djallëzi, atëherë vëhet në sprovë shëndeti, morali, mirëqenia sociale e psikike, dhe, ajo që është më e rëndësishme, - besimi në Zotin e Fuqishëm. Njëra nga këto që i vë në sipërfaqe këto rreziqe është edhe magjia. Po, magjia, kjo botë sa mistike aq edhe e popullarizuar në tokë në forma të ndryshme, e instrumentalizuar me mashtrime që brenda vetës tërheq fatkeqësi të shumta, sot, ashtu sikurse edhe në gjeneratat e mëhershme, po bëhet mjeti në të cilin po sfidohen njerëzit. Islami – modeli për t’i ikur kurthave të magjisë dhe gjykimi i tij për të

Islami paraqet modelin më të mirë për njeriun e kompletuar duke u mbështetur në personalitetin e të derguarit të Allahut, Muhammedit alejhi selam. Ky model i Islamit paraqitet vetëm e vetëm qe të pasohet i dërguari i Allahut në vepër, fjalë dhe sjellje. Islami e vendosi çështjen e magjisë mbi dimensione normale, e trajtoi atë ashtu siç meriton duke e sqaruar dhe shpjeguar. Islami shpjegoi definicionin, ndikimin, diagnozën dhe mbrojtjen eventuale para dhe pas ndonjë goditje të mundshme të sëmundjes magji. Kjo paraqet anën ejashtme dhe të brendshme, formën e tij reale dhe atë çka kërkohet për t’u fuqizuar magjia, i shpalli luftë magjistarëve dhe dënimi për ta që e caktoi islami është vrasja e tyre. E tërë kjo për ta mbrojtur individin, familjen dhe shoqërinë.

Dijetari i madh el Hafidh ibni Haxheri në komentimin e Sahihul Buhari që e emërtoi me Fet-hul Bari thotë:Shumica e dijetarëve janë të mendimit se magjistari nuk vritet, mirëpo ndëshkohet, përveç nëse e mbyt dikënd me magjinë e tij, atëhere vritet, apo në qofë se shpik diqka qe iu bën dëm të tjerëve dënohet për të sipas normave juridike islame. Imam Maliku, Allahu e Mëshiroftë, në lidhje me këtë thotë: Në qoftë se me magjinë e tij i bën dëm muslimanit, atëherë me këtë magjistari e ka thyer marrëveshjen e tij.

Allahu i Madhërishëm e ka krijuar njerëzimin në natyrshmërinë e tyre për të bashkëjetuar si shoqëri. Shoqëritë i lidhin interesat, dëshirat, idetë. Në shoqëri ekzistojnë shpirtëra të mirë dhe të këqinjë. Natyrisht ky është ligj prej ligjeve të Allahut subhanehu ue teala, dhe nga këtu lindin konfliktet e përhershme në mes të së mirës dhe të keqes, në mes të së vërtetës dhe të pavërtetës. Në mesin e të keqes është edhe magjia apo sihri.  Kjo fjalë përfaqëson një botë tërsisht të çuditshme, të mbushur përplot me frikë dhe tmerre në zbulimin e fshehtësisë dhe përjetimi i një force, tiranie dhe ndikimi mbi të tjerët. Në çdo kohë dhe tek të gjithë brezat e shoqërisë lexojmë për magjinë qe ka jetuar në mesin e njërzve.

Abullah Tajjar, prof. dr.në universitetin  “Imam Muhammed bin Suud Elislamijje” thotë: Njeriu arrin në kulmin e të keqës nga momenti që largohet prej metodologjisë së Allahut azze ve xhel-le,ndërhyn në sjelljen e tij djalli i mallkuar dhe veprat e tij janë në përputhshmëri të plotë me urdhërat e shejtanit, duke e hudhur atë në një humbje të sigurtë.

Ngjitja në kulminacionin e të këqijave do të thotë shkatërrim për shoqeritë njerëzore dhe pengim për në rrugen e zhvillimit dhe lulëzimit të shoqërive njerëzore.

Pa asnje dyshim, magjia dhe praktikimi i saj është kulmi i të gjitha të këqijave. Kjo për faktin se magjistari zhvishet nga virtytet, ndjenjat dhe njerëzia e tij dhe nga të gjitha ato të këqia që dikush nga njerëzit merr guximin ti bëjë në jetën e tij. E më shumë se këto ai (magjistari) ndërpret lidhjen në mes tij dhe Krijuesit të tij duke e mohuar Atë dhe shoqëruar shok Allahut të Madhërishëm.

Për këtë arsye islami e konsideron të marrurit me magji nga mëkatet e mëdha. Magjia promovon sëmundjet më të rrezikshme që ka mundësi t’i godet shoqëritë duke filluar nga përhapja e armiqësisë në mesin e njerëzve, marrja e nderit të tyre, vrasja e të pafajshmëve dhe vjedhja e pasurive.

Në islam është e ndaluar që magjistari t’i jetësoj magjitë në vende publike dhe jo publike. Islami i shpalli luftë magjisë dhe magjistarëve duke e mbyllur çdo derë e cila të qon drejt tyre dhe i hape rrugë diagnostifikimit të të sëmurit nga magjia dhe shërimit të tij nga ajo.

Islami i jep mundesinë muslimanit për t’u mbrojtur nga magjia, ia tregon rreziqet e mëdha të cilat mund të vijnë si pasojë e shkuarjes tek magjistarët dhe falltorët dhe informon se puna e tyre është në kundërshtim të plotë me natyrshmërinë e pastër islame.

Allahu subhanehu ue teala e nderoi njeriun me mendje. Para tij vendosi rregulla dhe obligime për mënyren se si të sillet me Krijuesin e tij dhe me ata që e rrethojnë atë, të punoj drejtë dhe mos të bëj padrejtësi, të zbukurohet me edukatë dhe virtyte të larta. Magjistarët nuk i kanë këto cilësi. Ata janë njerëz të humbur, të etshëm në përhapjen e të këqijave dhe çrregullimeve në tokë, udhëhiqen nga epshet dhe dëshirat e tyre pa u ndalur dhe penguar. Magjistarët kërkojnë ndihmën e shejtanëve për të arritur qëllimet e tyre djallëzore, iu ofrohen dhe përulen shejtanëve me çdo vepër qe është e urryer tek  Allahu xhel-le ve ala. Fytyrat e tyre janë të vrenjtura dhe të zymta. Në to shihet mjerimi dhe fatzia, nënçmimi dhe poshtrimi. Shtëpiat e tyre janë të pabanuara ngase në to gjenden papastërti dhe ikona që gjinden në to, të tmerrshme dhe të frikshme në shiqim, zemrat e tyre janë të zbrazura, ia ndaluan vetës së tyre shijimin e kënaqësisë së besimit në Allahun fuqiplotë, jeta e tyre është përplot me trubullira dhe lodhje.

Duke u nisur nga tërë kjo që u përmend më lartë themi se muslimani e ka obligim që t’i njoftojë të tjerët për rreziqet që vijnë nga magjistarët dhe punët e tyre të ndyta. Punët e tyre janë dalje e plotë nga islami dhe ato shkaktojnë hidhërimin e Allahut duke u pasuar me dënimin e Tij të ashpër për këtë kategori njerëzish.

Kërkimi ndihmë nga magjistarët është vetëviktimizim financiar dhe mëkat i madh

Gjithashtu, magjistarët u kërkojnë njerëzve shuma marramendëse të të hollave. Në shumë raste  duke i kërcënuar njerëzit se nëse nuk  ua sjellin një shumë të tillë që ata ua përcaktojnë, do t’i gjejë diçka e keqe e madhe. Dhe, kështu ata shpifin për vetën e tyre duke pretenduar para të tjerëve pozitën që e ka vetëm Allahu i Madhëruar. Viktimat kryesore të këtyre matrapazëve janë gratë të cilat trokasin në dyert e tyre me shpresë se do të gjejnë ndonjë zgjidhje për hallin e tyre. Andaj nuk guxon që dikush të ua mësyjë dyerve të tyre për të kërkuar shërim sepse sëmundja nga magjia pastaj është e pa evituar. Muslimani hallin dhe problemin e tij gjithmonë dhe çdoherë duhet ta orientoj drejtë shëruesit të vërtetë, Allahut fuqiplotë, t’i mbështetet Atij dhe të shpresoj vetëm tek Ai. Shkuarja tek magjistarët për çështje private individuale apo edhe të përgjithshme sjell pasoja të mëdha, është kufër, mohim i Allahut përderisa nuk kthehemi tek Shkakësori i shkaqeve që është vetëm Allahu. Kërkimi i ndihmës nga magjistarët dhe nga Allahu në të njëjten kohë është shirk që të shpie në kufër. Magjia qon në mohimin e plotë të ekzistencës së Allahut Madhështor.

Dijetari Sulejman bin Nasir El Uluan në lidhje me këtë   thotë: Lufta më e mirë që ka vlera të mëdha është ajo kundër armiqve të islamit dhe qëndrimi përballë tyre siç janë magjistarët, falltorët dhe mashtruesi. Sherri i tyre ka marrë hov të madh, i dëmtojnë besimtarët, kanë futur frikë të madhe në familjet e tyre. Allahu subhanehu ve teala i ka kërcënuar kriminelët magjistarë se do te përfundojnë në Sekar (emër i një xhehennemi). Thotë Allahu: E, ku e di ti se çka është Sekar? Ai nuk lë send të mbetet pa e djegur. Ai është që ua prish dhe ua nxin lëkurat. (El Muddethir -27,28,29) Allahu na tregoi në librin e Tij Kur’anin fisnik se magjistari është kafir ku thotë:

وَمَا يُعَلِّمَانِ مِنْ أَحَدٍ حَتَّى يَقُولاَ إِنَّمَا نَحْنُ فِتْنَةٌ فَلاَ تَكْفُرْ فَيَتَعَلَّمُونَ مِنْهُمَا مَا يُفَرِّقُونَ بِهِ بَيْنَ الْمَرْءِ وَزَوْجِهِ وَمَا هُم بِضَارِّينَ بِهِ مِنْ أَحَدٍ إِلاَّ بِإِذْنِ اللَّهِ وَيَتَعَلَّمُونَ مَا يَضُرُّهُمْ وَلاَ يَنفَعُهُمْ وَلَقَدْ عَلِمُواْ لَمَنِ اشْتَرَاهُ مَا لَهُ فِي الآخِرَةِ مِنْ خَلاقٍ وَلَبِئْسَ مَا شَرَوْا بِهِ أَنفُسَهُمْ لَوْ كَانُواْ يَعْلَمُونَ

E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thonin: "Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fé!" E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejën e All-llahut me atë askujt nuk mund t’i bënin dëm dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre. E ata (jehuditë) e kanë ditur se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit). Po ta dinin, ata se për ç’ka e shitën vetveten, ajo është shumë e keqe.( El-Bekare 102 )

Magjistarët,- humbësit në të dy botërat

Se magjistari është kafir dhe me magjinë e tij del nga Islami dhe hyn në zjarrin e xhehennemit është mendim i shumicës së juristëve islam nga Hanefitë, Malikitë dhe Hanbelitë. Dijetari i madh Muhammed bin Abdul Vehabi, Allahu e Mëshiroftë, thotë: Marrja me magji është dalje nga islami dhe shtoi: magjia ndanë burrin nga gruja dhe anasjelltas.

Dr.Abdusselam Essukeri profesor në fakultetin e sheriatit dhe ligjit në Demnehor thotë: Në qoftë se magjistari arrin  shkallën e kufrit, islami e konsideron atë kafir ,e nëse nuk e arrin shkallën e kufrit ,ai është gjynahqarë i madh sepse ai më se paku ka praktikuar një gjynah nga gjynahet e mëdha e që është marrja me magji. Të gjithë ata që mirren me magji apo ia mësojnë dikujt magjinë, fundi i tyre është i tmerrshëm dhe i dhembshëm. Jeta e tyre ishte jetë e keqe dhe përfundimi i tyre ishte përfundim i keq. Gjatë jetës së tyre janë përballur me goditje të rënda dhe të frikshme, ma e lehta e tyre ishte çmenduria e magjistarit apo humbja e memories, apo shfaqja e frikës në vetveten e tyre nga çdo gjë. Fatkeqësitë dhe mjerimi i pret në ç’do cep të jetës së tyre. Këtë e vërteton Allahu i Madhërishëm ku thotë: وَلاَ يُفْلِحُ السَّاحِرُونَ Magjistaret assesi nuk shpëtojnë. (Junus-77 )

Profesori Saad Halef El Afnani thotë: Magjia është shndërruar në vepër prej veprave mashtruese të ulta qe nuk i praktikon ndokush përveç se një pjesë e ulët e shoqërisë njerëzore, në fshehtësinë dhe sekretin më të madh që mund të ekzistojë, pasi që ishte profesion i klasave udhëheqëse të shoqërive në të kaluarën.

Islami e ndaloi magjinë, fallin dhe ndonjë formë tjetër të ngjajshme me to. Urtësia në këtë ndalim është për disa çështje të rëndësishme që do t’i përmendim me sa vijon:

E para - Përkushtimi i Islamit për ta mbrojtur akiden-besimin e pastër në Allahun

Islami përkushtohet për ruajtjen e besimit në zemrën e muslimanit në mënyrë që ai vazhdimisht të jetë në lidhje me Allahun, duke u mbështetur në Të dhe besuar se vetëm Ai është Furnizuesi dhe rregulluesi absolut i gjithë kësaj gjithësie. Muslimani kërkon vetëm nga Allahu, kur është në vështirësi nuk i drejtohet askujt me lutje përveç Atij. Nuk pranon ligje tjera përveç ligjeve të Allahut, yjet dhe trupat qiellore janë nënshtruar urdhërave të Allahut, në levizjet e tyre nuk i bëjnë dëm njeriut që Allahu e krijoi në tokë, duke caktuar furnizimin dhe jetën e tij në këtë botë. Jeta e njeriut nuk përfundon me paraqitjen apo fshehjen e një trupi qiellor dhe as nuk shtohet furnizimi i tij e as nuk pakësohet. Nëse njeriu deklaron se e di të fshehtën përmes lidhjes se tij me trupat qiellorë dhe madhërimit të tyre, kontaktet e tij të vazhdueshme me exhinë dhe shejtanë dhe duke pohuar se ai ka mundësi të ndikojë në ligjet e kësaj jete, ka qasje dhe kontroll të plotë në lëvizjen e saj natyrale, me këtë ai (njeriu) kundërshton hapurazi ligjet e Allahut duke i tejkaluar kufijtë të cilët i ka vendosur Allahu subhanehu ve teala. Padyshim, ky person është pabesimtarë për adhurimin dhe madhërimin e dikujt tjetër përveç Allahut dhe kërkim ndihmën nga dikush tjetër përveç Krijuesit të gjithësisë dhe pohimi i ndikimit në krijaturën e Allahut nga dikush tjetër përveç Allahut subhanehu ve teala.

E dyta - Magjia largon nga praktikimi i fesë dhe dispozitave të saj

Kur’ani na sjell tregime për ngjarje të ndryshme për të përkujtuar dhe për të na treguar ne se çka shpifën ithtarët e epsheve për Sulejmanin alejhi selam në çështjen e sihrit. Si i pengoi magjia jehudët që ta pasojnë pejgamberin të cilin e paralajmëroi libri i tyre, ua përshkroi cilësitë e tij dhe i urdhëroi ata të besojnë në të. Andaj, nuk ka dyshim se lënia e një pjese të librit nga ana e tyre është sikurse ta linin dhe mohonin të tërin.

E treta - Mësimi i magjisë dhe përdorimi i tij është kufër

Kurani e konsideron magjinë ,të mësuarit e magjisë dhe përdorimin e magjisë kufër sepse njeriu mëson diçka që i bën dëm dhe nuk i sjell aspak dobi. Mjafton që dëmi të jetë kufër, Allahu na mbrojtë prej tij, sepse shumë herë të mësuarit e diçkahi pasohet me praktikimin e tij, e të marrurit apo praktikimi i magjisë është dëm dhe nuk ka aspak dobi. Pra, në përgjithësi nuk ka dobi në të mësuarit apo praktikimin e magjisë. Edhe të mësuarit dhe praktikimi i magjisë janë të padobishme në të dy botërat sepse lëvizës dhe funksional mund ta bëjë vetëm Allahu. Ky është argument i fuqishëm se lënia dhe largimi nga magjia është obligim-vaxhib.

E katërta - Humbja e sigurtë e kësaj bote dhe botës së ardhshme është në mësimin e magjisë

Kush e zëvendëson dijen e tij të pastër me atë çka ia mësojnë shejtanët rreth librit të Allahut, veç e ka humbur këtë botë dhe botën e ardhshme. Ai i cili e mëson sihrin dhe e vlerëson më shumë se Kur’anin nuk ka asnjë vepër të mirë në ditën e gjykimit, sepse ,ai ka zgjedhur magjinë e magjia ia ka shkatërruar të gjitha veprat e mira. A ka diçka më keq se kur njeriu e shet vetvetën e tij?!  Magjistari ka shitur vetën e tij me një çmim që nuk ka vlerë, nuk ka dobi dhe ka blerë diçka që nuk do të i bën dobi aspak në ditën e gjykimit kur do të del para Allahut subhanehu ve teala për të dhënë llogari. Pra ,ai është humbës në çdo gjendje, ai e shet dhe e humb vetvetën e tij.

E pesta - Sëmundjet, dëmet dhe fatkeqësitë që u shkatohen njerëzve nga magjia

Magjistari nganjëhere mund të i sjell dëm dhe sëmundje njerëzve. Me këtë ndan burrin nga gruaja, por, dëmi nuk ndalet vetëm tek ai që i është bërë magji por i tejkalon kufijtë dhe shpeshher kthehet edhe tek vet magjistari. Për fund, muslimanit i mjafton ta dij se zotëriu i pejgamberëve, Muhammedi alejhisselam ka thënë për sihrin: Magjia është sherr, dhe urdhëroi qe magjia të shkatërrohet në mënyrë qe mos ta kujtojnë njerëzit magjinë.

Video për ju
Shpërndajeni...
Pyetje - Përgjigje