![]()
Si të jetojmë me Kuranin?
Cila ishte jeta e vërtetë e selefit (të parëve tanë të mirë) me Kuranin? Sa i kushtojmë ne sot rëndësi Kuranit në jetën tonë të përditshme? Përse është dobësuar pozita e Kuranit në jetën tonë? Përse u japim hapësirë shumë të madhe gazetave, revistave, mjeteve të informimit dhe aspak mësimit, leximit, nxënies përmendësh, studimit dhe meditimit të Kuranit? Përse ne muslimanët kemi ardhur sot në këtë dekadencë të paparë ndonjëherë ? A ka ndryshuar Kurani apo ne nuk jetojmë me Kuranin? Cilat janë kriteret që i ngrenë dhe i ulin popujt, që i bëjnë me autoritet apo të nënçmuar?
Imam Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga Omer ibnul Hattabi se i Dërguari Muhamed alejhi selam ka thënë: “Allahu i Madhërishëm disa popuj i ngre me Kuran, ndërsa disa të tjerë i bën të nënçmuar me të.” (Transmeton imam Muslimi, Ibnu Maxhe, Eddaremi). Ky hadith përfshin individin, popullin dhe umetin islam në tërësi. Kush nga këta e pranon Kuranin do të arrijë ngritjen dhe autoritetin e lartë e kush ia kthen shpinën atij, do të dënohet me ulje dhe nënçmim.
Me këtë vlerësim pejgamberik për Kuranin është njohur selefi për vendin dhe pozitën që i dha Kuranit. Kurani ishte qëllimi kryesor në jetën e tyre, duke e lexuar, duke e mësuar, duke ua mësuar të tjerëve dhe duke e jetësuar atë në të njëjtën kohë në jetën e tyre private dhe kolektive. Të vegjlit rriteshin me Kuran, familja edukohej në frymën e Kuranit, kërkimi i diturisë fillonte me të mësuarit dhe nxënien përmendsh të Kuranit. Themeli i të gjitha shkollave ishte Kurani, nëpër xhamitë e tyre kudo dëgjohej leximi i Kuranit. Ibadetet, namazet, ndejat, bisedat, shpërnguljet, xhihadi dhe çlirimi i shumë vendeve nga ana e tyre ishin të frymëzuara nga Kurani.
Gjithashtu, dispozitat ligjore, çështjet e ndryshme dhe raportet në mes tyre dhe me të tjerët buronin nga Kurani. Umeti islam ngrihej dhe avanconte me këtë Kuran sepse jetohej dhe vdisej me Kuran.
1- Transmeton Ebu Musa el Esh’ariu, se Muhamedi alejhi selam ka thënë: “I njoh zërat shoqërues të Esh’aritëve kur hyjnë gjatë natës në shtëpitë e tyre dhe i di shtëpitë e tyre prej zërave që i ngrenë natën duke lexuar Kuranin, edhe pse nuk i kam parë shtëpitë e tyre kur ata kanë hyrë në to gjatë ditës.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
2-Transmeton ibnul Mubareku dhe Vekiu në Zuhd, se Ahues Elxhushemi ka thënë: “Kur vinte ndokush natën dhe kalonte pranë ndonjë grupi njerëzish, dëgjonte zërat e tyre duke e lexuar Kuranin. Ata zëra u ngjanin shushurimave të bletëve (nga zërat e shumtë) dhe thoshte: “Si është puna e këtyre që e ndiejnë veten shumë të sigurt dhe nuk dinë se ç’është frika?” Kjo ishte gjendja e selefit me Kuranin dhe për këtë janë ndier shumë të sigurt dhe aspak të frikësuar. Abdullah ibnu Mes’udi ka thënë: “Kurani është fortifikatë e Allahut; kush hyn në të (ecën pas porosive të tij, punon me të), është i sigurt.”
3-Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Ata që ishin para jush Kuranin e shihnin si porosi nga Zoti i tyre, e studionin dhe meditonin për të gjatë natës dhe e praktikonin gjatë ditës.” Kështu, Kurani është adhurim, përkujtim i Krijuesit, që së bashku me meditimin dhe të kuptuarit e tij pason praktikimi dhe të punuarit me të.
4- Bartësi i Kuranit në esencë është bartësi i flamurit islam, bartës në çdo çështje që ka nevojë ky flamur, si: vendosmëria, forca, puna sistematike dhe zemërgjerësia.
Fudajl ibnu Ajjadi, Allahu e mëshiroftë, për bartësin e Kuranit është shprehur: “Bartësi i Kuranit është bartës i flamurit islam, prandaj si shenjë respekti për Kuranin nuk i takon atij që të rrijë apo të ulet me atë që zbavitet, me të marrin dhe me atë që flet fjalë boshe dhe të padobishme.”
5- Një prej tabiinëve, Ebu Haxhib el Basri, ishte gjykatës në atë kohë dhe i shquar për devotshmërinë e tij të rrallë. Behz Ibnu Hakimi tregon se si ka vdekur Ebu Haxhib el Basri.
“Në një namaz të sabahut Ebu Haxhibi u ka prirë njerëzve në faljen e namazit në Xhaminë e Beni Kushajrve. Ai ka lexuar nga Kurani deri kur ka arritur tek fjala e Allahut Dhul Xhelal:
فَإِذَا نُقِرَ فِي النَّاقُورِ فَذَلِكَ يَوْمَئِذٍ يَوْمٌ عَسِيرٌ
“Dhe kur të tingëllojë Suri (t’i fryhet për herë të dytë), vërtet që ajo Ditë do të jetë Ditë e Vështirë.” (El-Muddethir 8-9). Pasi ka mbaruar së kënduari këto dy ajete, ka rënë përtokë i vdekur.” Thotë Behz Ibnu Hakimi: “Kam qenë prej atyre që e kanë bartur deri te varri.”
Pra, Kurani ishte objektivi kryesor në jetën e selefit. Asnjë shkencë nuk vihej para studimit dhe mësimit të Kuranit. Ai që e pranonte Islamin, fillimisht i përvishej mësimit të Kuranit. Delegacionet që vinin tek i Dërguari i Allahut, Muhamedi alejhi selam, mësonin dhe merrnin atë që mundnin nga Kurani. Dallimi në aftësitë e tyre vërehej me njohjen, studimin dhe nxënien përmendsh të Kuranit.
Këshilltarët kryesorë të udhëheqësit të muslimanëve, Omer ibnul Hattabit kanë qenë lexuesit e Kuranit, në mesin e tyre ishte edhe Abdullah ibnu Abbasi, pasi dallohej për njohjen e thellë të Kuranit, edhe pse ishte në moshë të re.
Hivzi apo nxënia përmendsh e Kuranit ishte ngritja e parë arsimore për të vegjlit. Marrja e mësimeve nga dijetarët fillonte me mësimin e Kuranit nga kërkuesit e dijes dhe nëse dikush nuk fillonte me Kuranin, ishte e meta më e madhe për atë kërkues të diturisë.
Përfundimi i tërë kësaj është se mësimet dhe studimet në umetin e atëhershëm islam mbështeteshin në Kuran, në komentimin dhe në shkencat e tij. Kjo ishte jeta e selefit me Kuranin e ne na mbetet ta krahasojmë atë me jetën që bën sot umeti islam në kohën tonë bashkëkohore.
Si jetuan sahabët me Kuranin
Besimi i fuqishëm i sahabëve në Kuran, premtimet e Allahut në këtë libër dhe besimi i plotë se ajo që ka thënë Kurani patjetër do të ndodhë në këtë botë dhe në botën e ardhshme ishte vetë jeta e sahabëve me Kuranin.
Muslimanët gjatë periudhës mekase, para shpërnguljes së Muhamedit alejhi selam për në Medinë, ishin shumë të pafuqishëm. Ndër trysnitë e kurejshëve ndaj muslimanëve ishte edhe polemika e tyre me muslimanët, se romakët si ithtarë të librit janë mundur nga persianët paganë.
Ndërkohë zbritën ajetet fillestare të kaptinës Er-Rrum, që vërtetë ishin dhe janë çelës për të interpretuar varganin e jashtëzakonshëm të ngjarjeve që ndodhën në atë periudhë në historinë njerëzore në përgjithësi. Thotë Allahu i Madhërishëm:
“Elif, Lam, Mim. Bizantinët (rumët) u mundën, në tokën më afër (tokës së arabëve), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, brenda pak viteve. Çështja është vendim i Allahut, fillim e mbarim (për disfatë dhe për fitore). E atë ditë (kur do të fitojnë bizantinët) besimtarët do të gëzohen, për ndihmën e Allahut. Ai ndihmon atë që do dhe Ai është i gjithëfuqishëm, mëshirues. Premtimi i Allahut është (ky), Allahu nuk e thyen premtimin e Vet, por shumica e njerëzve nuk po dinë. Edhe atë që dinë nga jeta e kësaj bote, është dije e cekët, por ndaj jetës së përjetshme (ndaj ahiretit) ata janë plotësisht të verbëruar (të painteresuar).” (Er-Rrum, 1-7)
Premtimet nga ana e Allahut në këto ajete për shokët e Pejgamberit alejhi selam nuk ishin diçka e pakapshme. Ato ishin premtime me baza të shëndosha dhe të fuqishme, i besuan, i përqafuan pa ndonjë hezitim apo dyshim në to apo rreth tyre, edhe pse gjendja e tyre në Mekë ishte e rëndë dhe e dhimbshme nga përndjekjet dhe dhuna që ushtrohej ndaj tyre nga kurejshët paganë për shkak të besimit të tyre në Zotin Një.
Ishte edhe më e vështirë për t’i pranuar premtimet e këtyre ajeteve kuranore për fitore, për lajmin dhe kohën e caktuar që u përmendën në ajete për dy shkaqe të cilat nuk mund t’i pranonte mendja e njeriut të asaj kohe:
1- Perandoria romake kishte arritur kulmin e dobësimit të saj dhe argument për këtë janë disfatat që pësuan romakët brenda shtetit të tyre, ashtu siç tha Allahu: “...në tokën më afër (tokës së arabëve).” (Err-Rrum, 3)
E kush ka menduar se perandoria romake do të ngadhënjente mbi perandorinë persiane, përveç njoftimeve kuranore?
2- Përcaktimi kohor që përmendi Kurani për ngadhënjim në më pak se dhjetë vite.
Njoftimet kuranore u përgënjeshtruan nga paganët kurejshët; ngjarje këto shumë me rëndësi, që do të ndodhnin pas disa viteve, gjatë jetës së Pejgamberit Muhamed alejhi selam.
Këto njoftime Allahu i Madhërishëm i përforcoi edhe me premtimin tjetër, që është i lidhur ngushtë me vetë muslimanët. Thotë i Gjithëdijshmi: “E atë ditë (kur do të fitojnë bizantinët) besimtarët do të gëzohen, për ndihmën e Allahut.” (Err Rrum, 4-5)
Tregues i qartë se dita që do të ngadhënjejnë romakët mbi persianët do të jetë fitore edhe për muslimanët mbi jobesimtarët. Pra, të dy fitoret do të ndodhnin në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën ditë. Me zbritjen e këtyre ajeteve bindja e sahabëve në premtimet e Allahut arriti kulmin e saj, siç ishte rasti me Ebu Bekrin, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili me zbritjen e ajeteve të lartpërmendura dilte dhe e ngrinte zërin e tij nëpër Mekë:
“Elif, Lam, Mim. Bizantinët (rumët) u mundën, në tokën më afër (tokës së arabëve), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë, brenda pak viteve.” (Err-Rrum, 1-4)
Kurejshët i thanë Ebu Bekrit se kjo është në mes nesh dhe jush. Shoku yt tha (aludonin për Muhamedin alejhi selam, e që lajmi ishte nga ajetet kuranore) se romakët do të ngadhënjejnë mbi persianët pas disa vitesh. Ata i thanë: “A po na garanton ti për këtë?” Ai u tha: “Gjithsesi.”
Fjala “bidun” në gjuhën arabe nënkupton prej 3 deri në 9. Allahu e plotësoi premtimin e tij, pasi romakët ngadhënjyen mbi persianët në më pak se nëntë vite dhe historianët kanë pajtim të plotë rreth kësaj fitoreje të romakëve.
Jo vetëm kaq. Mrekullitë e Allahut nuk kanë të ndalur! Dita e fitores së romakëve ndaj persianëve ishte dita e fitores së muslimanëve mbi paganët kurejshë në Bedër (transmeton imam Tirmidhiu). Kjo ngjarje ishte argument i fuqishëm për pejgamberinë e Muhamedit alejhi selam.
Sahabët jetuan me të vërtetat dhe premtimet kuranore. Ata nuk ditën se çka është dyshimi në këto të vërteta, me gjithë tiraninë e paparë që ushtrohej mbi ta.
Ky është një shembull me plot vlera, të cilin gjithsesi duhet ta marrim dhe ta pasojmë. Kështu obligohen muslimanët që të jetojnë me premtimet kuranore, nëse dëshirojnë të jetojnë jetë të vërtetë dhe pa iluzione.
Shembull tjetër nga jeta e sahabëve
Allahu subhanehu ue teala në Kuran na tregon për jetën e të Dërguarve të Tij, me çka i forcon zemrat e muslimanëve, u premton atyre siguri dhe ndihmë, ashtu siç ndodhi me Pejgamberët e mëhershëm dhe umetet e tyre.
“E tashmë fjala (premtimi) jonë u është dhënë më parë robërve tanë të Dërguar; se ata me siguri do të nxirren ngadhënjyes dhe se ushtritë Tona, ato do të jenë fitimtare.” (Es Saffat-171-173)
Kur u shpërngulën muslimanët nga Meka për në Medinë për shkak të trysnive që u bëheshin për ta lënë fenë e tyre, menduan se gjetën vendqëndrim të sigurt, mirëpo ata nuk qëndruan gjatë në begatitë e sigurisë dhe u sulmuan nga armiqtë e tyre. Ata u përballën me luftëra të armatosura në çdo skaj të vendit, ndryshoi çështja dhe prapë filloi të ndihej prezenca e frikës nga sulmet e pamëshirshme. Me një fjalë, siguria mori fund.
Pikërisht në këtë gjendje, Allahu u premton atyre në Kuran se pas këtyre sprovave atyre do t’u arrijë ndihma, siguria dhe qetësia. Për këtë premton Allahu duke thënë: “Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë (e fuqisë së tashme të udhëheqësve) në tokë, ashtu siç ua siguroi Ai këtë atyre përpara tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre, (me kusht) që këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua. Por kushdo që nuk beson pas kësaj, këta janë fasikunë (kryeneçë, të pabindur ndaj Allahut).” (En Nur, 55)
Transmetohet nga Ubej ibnu Kabi, i cili ka thënë: “Kur Pejgamberi alejhi selam me shokët e tij arritën në Medinë dhe u strehuan nga ensarët, nuk kaloi kohë e gjatë dhe u sulmuan nga arabët. Nuk flinin dhe nuk zgjoheshin përveçse me armë dhe thanë: “Kur do të vijë ajo ditë kur do të flemë të qetë dhe të sigurt, nuk do t’i frikohemi askujt përveç Allahut?” Pas kësaj zbriti ajeti i lartpërmendur.
Berai, Allahu qoftë i kënaqur me të, është shprehur se kur ka zbritur ajeti i 55-të i sures En Nur, ne ishim në një gjendje të rëndë frike. Si jetuan sahabët me këtë premtim kuranor të kushtëzuar me adhurim ndaj Allahut Një dhe pa shok?
Pa dyshim se e pranuan me sinqeritet dhe bindje të plotë për realizimin e tij, i plotësuan kushtet që Allahu kërkoi nga ata, pastaj Allahu i Plotfuqishëm realizoi premtimin e Vet për robërit e Tij.
Për një kohë të shkurtër frika u shndërrua në siguri të plotë. E tërë kjo ndodhi brenda disa vitesh.
Sahabët, Allahu na bashkoftë me ta në xhenet, jetonin me Kuranin, duke e lexuar, studiuar, medituar dhe kur shkonin në xhihad, netët e xhihadit i gjallëronin me leximin e Kuranit. Vërtet ky është shijimi i plotë i Kuranit.
Porositë e selefit për të jetuar me Kuranin
Porositë e selefit për Kuranin, për përkujdesjen për të, për leximin dhe jetësimin e tij ishin mësime të mëdha dhe të mjaftueshme për ata që erdhën dhe do të vijnë pas tyre. Fjalët dhe bisedat çdoherë përputheshin me veprat e tyre, prandaj eja që së bashku t’i hedhim një shikim disa porosive të tyre për dhe rreth Kuranit.
1-Abdullah ibnu Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Robi i Allahut mos të pyesë askënd për veten e tij, përveç Kuranit. Nëse e do Kuranin, ai në realitet e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij e nëse e urren Kuranin, ai vërtet e urren Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”
2-Hudhejfe ibn el Jemani, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, ka thënë: “O lexuesit e Kuranit, qëndroni në rrugën e drejtë, përparësia çdoherë ju takon juve. E, nëse ju e lëni rrugën e drejtë dhe lajthitni, atëherë do të jeni të humbur.”
3-Ebu Musa el Eshariu, Allahu qoftë i kënaqur me të, gjatë kohës kur ishte udhëheqës i Basras i ftoi lexuesit e Kuranit që ta vizitojnë. Kur hynë tek ai më se 300 lexues të Kuranit, ai iu drejtua atyre me këto fjalë: “Ju jeni njerëzit dhe lexuesit më të mirë dhe më me vlerë të Basras, andaj vazhdoni rrugën e leximit të Kuranit, këtë rrugë të sigurt, dhe mos t’ju mashtrojë dynjaja e t’u ngurtësohen zemrat ashtu siç u ngurtësuan zemrat e atyre që ishin para jush.”
4-Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, në një rast iu drejtua lexuesve të Kuranit duke u thënë: “O lexuesit e Kuranit, ngrini kokat tuaja lart dhe krenohuni me punën tuaj. Rruga juaj është shumë e qartë, andaj vazhdoni garën tuaj për në vepra të mira.”
5-Ajo për të cilën u porosit shumë ishte të punuarit me Kuran, që njëkohësisht është argument i imanit. Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, thoshte: “Jetuam një kohë të gjatë. Çdonjëri mësonte imanin para se ta mësonte Kuranin dhe kur i zbriste Pejgamberit alejhi selam ndonjë kaptinë kuranore, mësonim hallallin dhe haramin, urdhrin dhe ndalesën pa u ndalur gjatë në të, sepse për ne ishin shumë të qarta gjërat nga besimi i fuqishëm që kishim. Pastaj kam takuar njerëz që e mësonin Kuranin para imanit, kur ndokush lexonte Kuranin nga Fatihaja e deri në fund, nuk kuptonte hallallin e as haramin, as urdhrin dhe ndalesën dhe as që ndalej për t’i kuptuar.”
6-Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Shtëpia në të cilën lexohet Kurani i shtohen të mirat, në të janë të pranishëm melaiket dhe dalin prej saj shejtanët, ndërsa shtëpia në të cilën nuk lexohet Kurani, në të vështirësohet banimi për anëtarët e saj, pakësohen të mirat, janë të pranishëm shejtanët dhe dalin prej saj melaiket.”
7-Abdullah ibn Amr ibnu El Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, thoshte: “Kush e lexon Kuranin, veç e ka vendosur pejgamberllëkun në mes të dy krahëve të tij, përveçse atij nuk i vjen shpallja. Kush e lexon Kuranin, pastaj sheh ndonjë nga krijesat e Allahut duke menduar se Allahu i ka dhënë atij më shumë në krahasim me lexuesin e Kuranit, veç e ka nënvlerësuar atë që Allahu e ka ngritur dhe e ka ngritur atë që vërtet Allahu e ka përulur. Lexuesi i Kuranit nuk guxon ta injorojë atë që nuk e dinë dhe as të hakmerret, nëse i vjen rasti, por të falë.”
8-Ebu Abdurrahman es Sulemi, nga tabiinët, Allahu e mëshiroftë, shtatëdhjetë vite i ka kaluar duke ua mësuar njerëzve Kuranin e të ngjashëm si ai kanë qenë të shumtë në çdo kohë, të cilët tërë jetën e tyre ia kushtuan mësimit të Kuranit.
9-Komentuesi i njohur i Kuranit, Muxhahidi, fjalën e Allahut يَتْلُونَهُ حَقَّ تِلاَوَتِهِ
“e të cilët e lexojnë atë (u bindën urdhrave të tij dhe e ndjekin atë) drejt siç është për ta lexuar (e ndjekur).” (El Bekare, 121), e ka komentuar me fjalët “ata punojnë me të ashtu siç kërkohet me precizitet të plotë.” Ky në fakt edhe është objektivi kryesor i Kuranit, që lexuesi ta praktikojë dhe ta jetësojë atë në jetën e tij