
Shumë nga njerëzit vrapojnë në kërkimin e shërimit. Islami e lejon kërkimin e shërimit. Madje, Islami është përkujdesur për shëndetin e njeriut në mënyrën dhe formën më të mirë, qoftë në mbrojtjen e trupit, para se ta godet atë sëmundja, ose edhe për shërimin e tij në rast se atë e godet ndonjë sëmundje eventuale. Ai i cili analizon disa dispozita islame do të gjej në to urtësi të mëdha në ruajtjen e trupit dhe shpirtit.
Abdesti dhe pastrimi i përgjithshëm janë pastërti për trupin që e mbrojnë nga mikrobet të cilat nëse lihen përhapen dhe prodhojnë sëmundje të cilave nuk iu dihen pasojat. Gjithashtu namazi i besimtarit ka dobi të shumta shëndetësore për shpirtin dhe trupin, poashtu edhe agjërimi dhe haxhi.
Islami ndaloi pijet alkoholike, mishin e shtazës së ngordhur, mishin e derrit, prostitucionin e gjëra të tjera vetëm e vetëm për ta ruajtur trupin dhe shpirtin e njeriut.
Kurani fisnik na njofton për disa lloje të sëmundjeve. Thotë Allahu i Madhërishëm:
Nuk është mëkat për të verbërin, as të çalin, as për të sëmurin….(En Nur -61)
ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aqë ditë nga ditët e mëvonshme. (El Bekare-185)
Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensim është: agjërim, sadaka ose kurban. (El Bekare-196)
Nëse jeni të sëmurë, jeni në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja), ose keni takuar gratë, e nuk gjeni ujë, atëherë mësyne dheun dhe fërkoni me duart (tejemmum). All-llahu shlyen e falë mëkatet. (En Nisa- 43)
Kurani nuk na tregoi vetëm për sëmundjet, ai na tregoi edhe për shërimin ku thote:
Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët. ( El Isra 82 )
Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar - ilaç) për njerëz. Edhe në këtë ka argument për atë popull që mendon thellë. (En Nahl-69)
Ibnul Kajimi, Allahu e Mëshiroftë thotë: Allahu I Madhërishëm ka përmendur sëmundjen e trupit në haxh, agjërim dhe abdest për të treguar ty o njeri për madhështinë Kuranore.
Hadithet e Muhammedit alejhisselam janë të shumta për lejimin e shërimit në Islam
Ndër to mund të përmendim:Transmetohet nga Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton nga pejgamberi alejhi selam se ka thene: Allahu nuk ka zbritur ndonjë sëmundje përveq se ka zbritur edhe barin shërues të asaj sëmundje. (Imam Buhariu)
Transmetohet nga Xhabiri, i biri i Abdullahut, i cili transmeton nga i dërguari i Allahut se ka thënë: Për çdo sëmundje ka edhe bar shërues, nëse bari shërues godet sëmundjen, largohet sëmundja me lejen e Allahut, azze ue xhel-le. (Imam Muslimi)
Nuk i lejohet muslimanit të kërkojë shërim ndryshe përvecse në format dhe mënyrat të cilat i lejoi islami. Kjo do të thotë se atë që e ka ndaluar Allahu nuk bën të përdoret për shërim sepse nuk ka shërim në të.
Transmeton Ebu Derda nga pejgamberi alejhi selam i cili ka thënë se: Allahu ka zbritur sëmundjen por ka zbritur me të edhe barin shërues, dhe për cdo sëmundje ka ilaq, andaj kërkoni shërim dhe mos u shëroni me atë që është haram .
Transmetohet nga Ebu Hurejre Allahu qoftë i kënaqur me të se E ka ndaluar i dërguari i Allahut shërimin me barin e keq (të ndaluar)”.
Pra, nuk i lejohet muslimanit të kërkoj shërim me haram, qofshin ato sëmundje organike, psikike apo shpirtërore kur dihet se mënyrat e lejuara për shërim simbas islamit janë të shumta dhe të mjaftuara.
Shkruan: Hoxh Musli Zymberi